Paraditen e së martës, u arrestuan.
E pasdite, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Paraburgimi u kërkua edhe për ish vjehrrën e saj, N.S dhe ish kunatin, D.S.
Në kërkesën e organit të akuzës, të cilën e siguroi Betimit për Drejtësi, thuhet se të dy ndihmuan në përgatitijen dhe lehtësimin e vrasjes nga Albert Syla.
Madje, sipas dosjes së prokurorisë, ish-vjehrra e Arlindës, nga data 22 tetor 2026, e ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht Arlindën, kur kjo e fundit u kthye për të jetuar në shtëpi.
Ndërkohë në telefonin e D.S, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor të këtij viti, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet.
Të gjitha këto, sipas prokurorisë, dëshmojnë se krijuan kushtet dhe e lehtësuan realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.
Kjo dosje, flet edhe për natën tragjike të vrasjes.
Sipas saj, ish-vjehrra N.S, ishte e pranishme në shtëpi edhe në momentin e vrasjes, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit.
Gjithmonë sipas prokurorisë, e njëjta nuk ndërmori asnjë veprim për ta penguar djalin e saj, dorasin e dyshuar, Albert Sylaj, gjatë kohës së sulmit.
Në vend të së vërtetës, prokuroria thotë se N.S pretendoi se Arlinda e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhke e lënë pa ndjenja, ani pse pamjet nga kamerat e sigurisë, e thonë të kundërtën.
Për të gjitha këto veprime, mbi ish-vjehrrën e Arlinda Zekajt, po rëndon akuza për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Vrasje e Rëndë”
Ndërkohë, kur e gjitha përfundoi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, thotë se M.P dhe G.B, e ndihmuan dorasin e dyshuar, të largohet nga skena e krimit.
Fillimisht, dyshohet se M.P me automjetin e tij, e transportoi Albert Sylajn deri në fshatin Bec, duke e shmangur kapjen e tij nga autoritetet.
Ndërkohë G.B, dyshohet fillimisht e strehoi ish-bashkëshortin e Arlindës në banesën e tij, e më pas e transportoi drejt fshatit Maznik.
Të dy këta, po akuzohen për veprën penale ““Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”
Në fund, Prokuroria vlerëson se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës, veçanërisht përmes ndikimit, frikësimit apo ushtrimit të presionit ndaj dëshmitarëve, sidomos ndaj familjarëve të tyre.






