Katër persona janë arrestuar të martën në kuadër të një aksioni të Policisë së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Bashkëkryerje”.
Sipas njoftimit të policisë, aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Operacioni ka nisur rreth orës 08:50, pas një hetimi të zhvilluar për një periudhë të gjatë, ndërsa kontrollet janë kryer në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt, me autorizim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Tre nga të dyshuarit dyshohet se kanë mbajtur pozita të ndryshme zyrtare në gjykatat e Ferizajt dhe Gjakovës, ndërsa personi i katërt është avokat.
Ata dyshohen se kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje që lidhen me punësimin.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar katër telefona celularë, dy shtëpiza kompjuterike (PC), si dhe dokumentacion relevant që do të shërbejë për vazhdimin e hetimeve.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./teve1.info/







