Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përkujton zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në 23 vjetorin e vrasjes së tyre:
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kujtuar vrasjen e dy ish-zyrtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj në 23 vjetorin e vrasjes.
Abdixhiku ka shkruar se ata u vranë gjatë detyrës zyrtare dhe po hetonin vrasjet e pasluftës përshfirë atë të kolonel Tahir Zemajt dhe Smajl Hajdarajt.
Kryetari i LDK-së duke kujtuar deklaratën e zyrtares policore Sebahate Tolaj e cila pak ditë para vrasjes kishte thënë se hetimet për zbardhjen e vrasjen së kolonelit Zemaj po afrohen, ka thënë se zbardhja e plotë e vrasjes së dy policëve është obligim shoqëror e institucional.
“Vrasja e tyre nuk ishte vetëm humbje e dy zyrtarëve policorë, por një goditje ndaj përpjekjeve për vendosjen e drejtësisë, ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Kosovë. Pas 23 vjetësh, zbardhja e plotë e kësaj vrasjeje dhe vënia e përgjegjësve para drejtësisë mbetet obligim institucional dhe shoqëror. Familjet e tyre, shoqëria dhe Republika e Kosovës meritojnë të vërtetën dhe drejtësinë”, ka shkruar Abdixhiku.




