Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji ndaj Endrit Azemit, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale mashtrimi.
Azemi dyshohet se ka mashtrur se vuan nga leukemia akute, përmes platformës “GoFound” dhe thirrjeve për ndihmë të organizuara brenda qytetit ka përfituar 189.208.8 euro.
Sipas dosjes së prokurorisë, për rreth 2 javë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, i ka vënë në lajthitje qytetarët, duke sajuar se kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute.
“Përmes hapjes së “GoFound” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 162.522 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e njëzet e dy) euro, në rrjetin “GoFound”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit janë grumbulluar shuma prej 26.684.8 (njëzet e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër euro e tetë cent), me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme, e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189.206.8 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtë euro e tetë cent) duke krijuar dobi pasurore për vete”, shkruhet në njoftim.
Më këto veprime, Azemi dyshohet të ketë kryer veprën penale mashtrimi.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.







