Irani është zotuar të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t’iu kundërpërgjigjur bllokadës detare dhe sanksioneve amerikane.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi se Teherani po shqyrton disa masa për të përballuar dhe neutralizuar bllokadën dhe sanksionet amerikane.
“Teherani do të fillojë zbatimin e masave në përputhje me vendimet e marra për këtë çështje”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Baqaei theksoi se siguria në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajon mund të rikthehet sa më shpejt nëse SHBA-ja përmbush detyrimet e saj.
“Kushtet e Iranit janë të drejtat e tij: heqja e bllokadës detare dhe sanksioneve, si dhe zbatimi i dispozitave të përfshira në memorandumin e mirëkuptimit”, u shpreh ai, citon Anadolu.
Duke komentuar samitin trepalësh të javës së kaluar mes udhëheqësve të Rusisë, SHBA-së dhe Kinës, Baqaei tha se vendimet për Iranin nuk mund të merren pa përfshirjen e Teheranit.
“Asnjë vendim lidhur me Iranin nuk do të merret askund jashtë Teheranit”, deklaroi ai.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe ndaj objekteve ushtarake amerikane në vendet arabe.
Në qershor, Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi dhe nisën negociatat, por bisedimet ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve mbi lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç për furnizimin global me energji dhe tregtinë ndërkombëtare.








