Agjencitë e inteligjencës së NATO-s besojnë se Rusia po planifikon të lëshojë në hapësirë një satelit të pajisur me armë bërthamore gjatë këtij viti, raportojnë mediat gjermane.
Sateliti, i cili dyshohet se mban emrin Sputnik-S, është montuar disa vite më parë dhe aktualisht ndodhet në rajonin e Moskës, raportuan të hënën transmetuesit gjermanë NDR dhe WDR, si dhe gazeta Süddeutsche Zeitung.
Sipas raportimit, shërbimet perëndimore të inteligjencës, përfshirë Shërbimin Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND) dhe forcat e armatosura gjermane, kanë shkëmbyer informacione lidhur me planet e pretenduara të Moskës.
Ambasada e Rusisë në Gjermani, BND-ja dhe selia e NATO-s në Bruksel nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Në vitin 2024, Rusia hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve amerikanë se po zhvillonte një armë të aftë për të shkatërruar satelitët kundërshtarë përmes një shpërthimi bërthamor në hapësirë.
Zyrtarët amerikanë kanë pretenduar më herët se Moska prej vitesh po zhvillon një armë bërthamore hapësinore, e cila mund të shkatërrojë rrjete të tëra satelitore.
Një armë e tillë mund të përbëjë kërcënim për sisteme si rrjeti Starlink i kompanisë SpaceX, i cili u ofron lidhje interneti forcave ukrainase.




