Arsim Bajrami një nga anëtarët e komisionit hartues të Kushtetutës së Kosovës, ka dhënë një propozim të “veçantë juridik dhe profesional”, për Grupin Punues për hartimin e Strategjisë për Mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Bajrami ka thënë se propozimi ka dhjetë shtylla, argumentimi, me synimin që të shqyrtohen në mënyrë sistematike konstatimet faktike, interpretimet juridike, përgjegjësia penale individuale, doktrina e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, vlerësimi i provave, respektimi i standardeve të gjykimit të drejtë dhe përmbushja e standardit të provës përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Qëllimi përfundimtar është që ky kontribut t’u vihet në dispozicion ekipeve mbrojtëse si një bazë shtesë për analizë dhe debat profesional, në funksion të shqyrtimit të të gjitha mundësive juridike për kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe kërkimin e një vendimi lirues, në përputhje me ligjin dhe standardet e drejtësisë penale”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ai ka thënë se me këtë nuk synon ndërhyrjen në punën e grupit.
Grupi Punues për hartimin e Strategjisë për Mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i themeluar nga Qeveria e Kosovës ka mbajtur disa takime.
Gjykata Speciale në vendimin e shkallës së parë ka dënuar Thaçin e Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 e Selimin me 13 vjet burgim./teve1.info/









