Deputetët izraelitë të Knessetit kanë kritikuar ashpër të dielën qeverinë në detyrë të Benjamin Netanyahut për rritjen e dhunës së kolonëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i cilësuar sulmet si “terrorizëm hebre”.
Kritikat erdhën pas sulmeve gjatë natës, gjatë të cilave kolonët u vunë zjarrin automjeteve dhe pronave palestineze në disa fshatra të Bregut Perëndimor.
Sulmet përbëjnë “terrorizëm hebre në çdo kuptim të fjalës”, shkroi në platformën X Gadi Eisenkot, kryetar i partisë Yashar dhe kryeministër i emëruar.
“Veprimet e udhëhequra nga (ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar) Ben-Gvir dhe (ministri i Financave, Bezalel) Smotrich në Bregun Perëndimor e kanë çuar zonën në prag të anarkisë së pakontrolluar”, shtoi ai.
Eisenkot i bëri thirrje qeverisë izraelite dhe institucioneve të sigurisë që të përdorin “çdo mjet në dispozicion – përfshirë ndalimin administrativ dhe operacionet e shënjestruara nga Shin Bet – për të ndalur trazirat dhe për të vendosur sanksione të ashpra ndaj tyre”.
Edhe figura e opozitës, Yair Lapid, e bëri qeverinë e Netanyahut përgjegjëse për nxitjen e “terrorizmit hebre”.
“Terrorizmi hebre është rezultat i neglizhencës kriminale të qeverisë izraelite”, deklaroi ai përmes platformës X.
Ndërkaq, Yair Golan, lider i partisë Demokratët, paralajmëroi për mundësinë e një intifade të tretë, duke thënë se Bregu Perëndimor është “në prag të një shpërthimi”.
Dy intifadat e para palestineze shpërthyen në vitet 1987 dhe 2000.








