Një shofer autobusi është ndaluar për kontroll në pikën kufitare në Merdarë, pasi në valixhen e tij janë gjetur 150 fishekë të llojeve të ndryshme.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të shtunën, gjatë një kontrolli të përbashkët të njësive policore dhe Doganës së Kosovës.
Gjatë kontrollit të autobusit, në valixhen e shoferit janë gjetur dhe sekuestruar 50 fishekë për pushkë gjuetie dhe 100 fishekë me gaz.
I dyshuari, gjatë intervistimit, ka deklaruar se municionin e kishte blerë në një dyqan në Itali.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale dhe kontrollin e shtëpisë së të dyshuarit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, i dyshuari ka dorëzuar një pistoletë me leje, një pushkë gjuetie me leje dhe 240 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në total, gjatë kontrolleve janë gjetur 390 fishekë, prej të cilëve 150 në autobus dhe 240 në shtëpinë e të dyshuarit.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent dhe inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.







