Kurti ka thënë se Vuçiqi po e shtyn vazhdimisht takimin pasi nuk dëshiron të distancohet nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtojë për Bruksel, për takimin e radhës dhe një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt pasi Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi një mujore. Po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet dhe sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme. Ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga presidenti despotik Putin. Nuk duan që t’i vënë sanksione Moskës andaj nuk e konstituojnë Kuvendin nuk e formojnë Qeverinë. Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, konstruktive, dhe e përkushtuar”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Kurti më tej ka thënë se takimi me sekretarin amerikan, Antony Blinken të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë ishte i shkëlqyeshëm.
“Me Sekretarin Blinken, diskutuam që është e domosdoshme që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme t’i thellojmë me bashkëpunim ekonomik dhe rritje të shkëmbimit tregtar. Po ashtu, bujqësia dhe mbrojtja janë dy fusha ku duam ta rrisim bashkëpunimin. Takimi me Blinken ishte i përzemërt, është kremtim i marrëdhënieve tona që po hyjnë në një fazë të re. Investimi amerikan në Kosovë do të vijë duke u shtuar, sfidat në rajon po shtohen”, ka thënë Kurti.