Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet gjatë muajit shtator 2026.
Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë këtij muaji janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 556 lindje, brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1 mijë e 378 ishin meshkuj dhe 1 mijë e 178 femra.
Krahasuar me muajin gusht, numri i lindjeve është rritur për 2.2 për qind.
Ndërkaq, gjatë shtatorit janë regjistruar 861 vdekje, prej të cilave 462 meshkuj dhe 399 femra. Në raport me muajin paraprak, numri i vdekjeve ka shënuar rënie prej 11 për qind.
Sa u përket martesave, ASK ka bërë të ditur se në shtator janë regjistruar 1 mijë e 215 kurorëzime, brenda dhe jashtë Kosovës. Ky numër është për 37.5 për qind më i ulët krahasuar me gushtin.
Në anën tjetër, gjatë këtij muaji janë regjistruar 151 raste të shkurorëzimeve në Kosovë, apo 55.7 për qind më shumë sesa në muajin gusht.
ASK ka bërë të ditur se këto të dhëna janë preliminare dhe bazohen në të dhënat administrative të Agjencisë së Regjistrit Civil të Kosovës (ARC).







