Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka miratuar një premio prej 500 mijë eurosh për Kombëtaren shqiptare, pas suksesit të arritur në Grupin C1 të Ligës së Kombeve.
Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, si shpërblim për përfundimin në vendin e parë në grup dhe sigurimin e promovimit në Ligën B për edicionin e ardhshëm të këtij kompeticioni.
Shqipëria e mbylli garën në Grupin C1 me 15 pikë, pas pesë fitoreve në gjashtë ndeshje të zhvilluara. Fitorja 2:0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e fundit vulosi kryesimin e grupit dhe ngjitjen e kuqezinjve në Ligën B.
“Arritja e vendit të parë në grupin C1 të UEFA Nations League dhe sigurimi i ngjitjes në Ligën B për edicionin e ardhshëm do të shpërblehet edhe financiarisht për Kombëtaren shqiptare. Në vlerësim të suksesit të arritur nga kuqezinjtë në këtë edicion të kompeticionit europian, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar një bonus prej 500 mijë eurosh për ekipin kombëtar. Shqipëria e mbylli aventurën në grupin C1 në vendin e parë me 15 pikë, pas një fushate pozitive në të cilën regjistroi pesë fitore në gjashtë ndeshje. Fitorja 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e fundit vulosi kryesimin e grupit dhe ngjitjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Nations League. Ky shpërblim vjen si vlerësim për rezultatet e arritura, angazhimin dhe punën e bërë nga futbollistët dhe stafi i Kombëtares gjatë këtij edicioni, duke kurorëzuar me sukses një objektiv të rëndësishëm sportiv për futbollin shqiptar”, shkruhet në njoftim.









