Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë lënduar nga një zjarr në termocentralin e Harthas, në provincën Basra të Irakut jugor, njoftuan të shtunën autoritetet, transmeton Anadolu.
Qendra Mediatike e Sigurisë e Irakut njoftoi për viktimat në një deklaratë në platformën amerikane Facebook, duke theksuar se shifrat bazohen në vlerësimet paraprake.
Në deklaratë thuhet se ekipet e mbrojtjes civile ndërhynë për shuarjen e zjarrit, ndërsa forcat e sigurisë rrethuan objektin dhe siguruan zonën përreth.
“Njësitë policore nga departamenti dhe stacioni i policisë në Al-Hartha, së bashku me Batalionin e Parë të Brigadës së 83-të të Këmbësorisë së Mekanizuar, rrethuan vendin e ngjarjes dhe siguruan zonën përreth, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë në terren të Komandës së Zonës së Tretë të Sigurisë”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet thanë se të lënduarit kanë pësuar djegie dhe shkallë të ndryshme të asfiksisë, ndërsa janë dërguar për ndihmën e parë dhe trajtim mjekësor.
Qendra Mediatike e Sigurisë bëri të ditur se po zhvillohen hetime në terren për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e zjarrit.
Ajo shtoi se informacione të tjera do të publikohen sapo të bëhen të disponueshme.






