Telekomi i Kosovës, ka njoftuar programi i largimit vullnetar nga puna është pjesë e masave menaxheriale dhe organizative.
Nga Telekomi kanë thënë se ky program nuk paguan punëtorë që nuk kryejnë punë.
Në një komunikatë për media Telekomi i Kosovës ka thënë se programi ka dhënë efektet e tij, ku deri më tash janë kursyer rreth 13 milionë euro në shpenzimet për paga.
“Këto programe nuk përbëjnë praktikë të pagesës së punonjësve pa kryer punë, siç është interpretuar në disa raportime të fundit mediatike. Përkundrazi, ato janë mekanizma të riorganizimit të burimeve njerëzore, përmes të cilëve punonjësit, mbi baza vullnetare dhe sipas kritereve të përcaktuara, mund ta përfundojnë marrëdhënien e punës kundrejt një kompensimi financiar. Në këtë mënyrë, ndërmarrja merr përsipër një kosto të kufizuar në kohë, me synimin për të realizuar kursime të qëndrueshme në vitet pasuese. Në vitin 2022, nga programi i parë i largimit vullnetar përfituan 302 punonjës, me një kosto prej rreth 6 milionë eurosh. Deri më tani, nga ky program janë kursyer rreth 13 milionë euro në shpenzimet për paga, duke rezultuar në një efekt financiar neto pozitiv prej rreth 7 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Telekomi ka bërë të ditur se ky program është zbatur edhe në vitin 2026 ku janë aprovuar 95 aplikime.
“Duke u mbështetur në këtë përvojë, në vitin 2026 ndërmarrja ka zbatuar programin e radhës, të miratuar paraprakisht nga Bordi i Drejtorëve. Në kuadër të këtij programi janë aprovuar 95 aplikime, me një kosto të vlerësuar prej rreth 2 milionë euro. Synimi mbetet reduktimi afatgjatë i shpenzimeve operative, duke ruajtur funksionalitetin e ndërmarrjes dhe cilësinë e shërbimeve”, thuhet në komunikatë.
Telekomi ka sqaruar se programet e largimit vullnetar nuk janë zbatuar si e drejtë automatike e çdo aplikuesi. Shqyrtimi i kërkesave është bërë duke marrë parasysh nevojat operative të ndërmarrjes dhe mundësinë e mbulimit të funksioneve përkatëse me kapacitetet ekzistuese.
Poashtu nga kjo ndërmarrje është sqaruar edhe shpallja e konkursit në fushën ligjore.
“Sa i përket raportimeve për shpalljen e një konkursi të brendshëm në fushën ligjore, Telekomi i Kosovës sqaron se pozita e shpallur nuk ndërlidhet me pozitat që kanë mbajtur dy ish-punonjësit e larguar përmes programit vullnetar. Megjithatë, duhet theksuar se riorganizimi i burimeve njerëzore nuk nënkupton domosdoshmërisht eliminimin e pozitave të liruara, por mundëson plotësimin e tyre përmes lëvizjeve dhe konkurseve të brendshme, duke shfrytëzuar dhe motivuar kapacitetet ekzistuese, pa rritur numrin e përgjithshëm të punonjësve. Kjo qasje synon jo vetëm reduktimin e kostos së përgjithshme të pagave, por edhe rritjen e efikasitetit dhe produktivitetit të ndërmarrjes. Telekomi i Kosovës thekson se lidhjet familjare me drejtues të ndërmarrjes apo me bartës të funksioneve publike nuk mund të përbëjnë as kriter favorizimi dhe as bazë për përjashtim nga një program i përgjithshëm. Ajo që duhet të përcaktojë ligjshmërinë dhe drejtësinë e çdo vendimi është respektimi i kritereve të miratuara, procedurave përkatëse dhe përgjegjësive institucionale”, thuhet në komunikatë./teve1.info/







