Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në Kuvend është prezantuar projektplani i punës për Agjendën Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.
Ajo ka thënë se projektplani është diskutuar me përfaqësues të institucioneve, partnerë dhe organizata të grave, ndërsa agjenda synon t’i japë Kuvendit një plan të qartë pune deri në vitin 2030.
Sipas Haxhiut, fokusi do të jetë te fuqizimi ekonomik i grave, arsimi dhe punësimi, mbrojtja nga dhuna, si dhe mbikëqyrja parlamentare e zbatimit të ligjeve për barazinë gjinore.
Pjesë e agjendës do të jenë edhe vizitat në rajone të ndryshme të Kosovës dhe takimet me organizatat e grave, me qëllim që përvojat dhe nevojat e tyre të përfshihen në punën e Kuvendit.
“Barazia gjinore matet në jetën e përditshme, te paga e barabartë për punë të njëjtë, te prona e regjistruar edhe në emër të gruas dhe te përfaqësimi i saj në vendimmarrje”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka falënderuar zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fatmire Mulhaxhën, kryesuesen e Grupit të Grave Deputete, Arijeta Rexhepin, UN Women në Kosovë dhe pjesëmarrësit e tjerë për kontributin në hartimin e projektplanit./teve1.info/




