Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas shtyrjes së sërishme të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritej të shqyrtohej Ligji për Gjykatën Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shprehur kritika ndaj atyre që, sipas tij, kanë sponsorizuar dhe më pas kanë tërhequr ligjin për Gjykatën Speciale.
“Duket hapur që sponzorizuesit e ligjit për Gjykatën Speciale dhe po ashtu tërheqësit e këtij ligji, s’po dinë as çfarë kanë bërë e as çfarë po bëjnë. Qofsha gabim unë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, të enjten është shtyrë për një kohë të pacaktuar vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, në rendin e ditës së së cilës, ndër tri pikat e parapara, ishte edhe shqyrtimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
Lidhur me këtë vendim, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, ka deklaruar se shtyrja erdhi pas diskutimeve të zhvilluara ndërmjet shefave të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve politikë të tyre.
Ai e ka cilësuar procesin si rezultat të “diskutimeve të ngjeshura”.
Ndërkohë, para orës 10:00, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit, Çitaku ka deklaruar se nuk kanë dallime sa i përket përmbajtjes së Ligjit për Specialen, por vetëm për çështjet procedurale.
Ndërsa, para fillimit të seancës, Çitaku dhe Kurti janë parë duke zhvilluar diskutime në Kuvend./teve1.info/









