Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kritikuar suspendimin e katër farmacistëve, një ditë pas interpelancës në Kuvend për mungesën e barnave.
Gjatë seancës së Kuvendit, Deliu tha se përgjegjësia për furnizimin me barna nuk mund t’u ngarkohet vetëm farmacistëve, pasi problemet lidhen edhe me planifikimin, prokurimin, furnizimin dhe menaxhimin e tyre.
Ajo theksoi se mungesa e barnave prek një numër të madh pacientësh, të cilët detyrohen t’i blejnë vetë terapitë që duhet t’ua sigurojë shteti.
“Ky nuk është vetëm një rast i izoluar dhe nuk mund të mbetet vetëm një rast i izoluar. Është numri i madh i pacientëve të cilët për çdo ditë detyrohen të paguajnë nga xhepi i tyre për barna të cilat do të duhej t’ua siguronte shteti. Janë pacientë që përballen me sëmundje të rënda, familje që detyrohen të kërkojnë barna jashtë vendit dhe njerëz që, përveç shqetësimit për shëndetin, duhet të mendojnë edhe se ku t’i gjejnë paratë për trajtim”, tha Deliu.
Duke iu referuar suspendimit të katër farmacistëve, deputetja e PDK-së tha se, nëse ka pasur shkelje, ato duhet të hetohen, por kjo nuk e zgjidh problemin e mungesës së barnave në vend.
“Një ditë pas interpelancës, katër farmacistë janë suspenduar nga puna. Unë nuk dua të paragjykoj përgjegjësinë e askujt. Nëse ka pasur shkelje, natyrisht se ato duhet të hetohen. Por a mendon dikush seriozisht se me suspendimin e katër farmacistëve zgjidhet problemi i mungesës së barnave në Kosovë? […] Problemi i furnizimit nuk fillon e as nuk përfundon te farmacisti që e jep barin. Problemi lidhet me planifikimin, prokurimin, furnizimin dhe menaxhimin e barnave”, deklaroi ajo.
Deliu kërkoi që përgjegjësia për mungesën e barnave të trajtohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse, duke vënë në fokus problemet sistemore të furnizimit me barna në Kosovë.




