Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e cila dyshohet për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, përmes përdorimit të autorizimeve të falsifikuara për shitjen e pronave në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se kishte përdorur një autorizim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga xhaxhai i saj, për të shitur pronat e tij që ndodheshin në Kosovë.
Në aktakuzë thuhet se më 13 nëntor 2024, ajo kishte përdorur dokumentacionin e falsifikuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me qëllim të ndikimit në vendimmarrjen për njohjen e së drejtës së pronësisë mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviç, në Komunën e Shtimes.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, përmes këtyre dokumenteve, gjykata kishte njohur të drejtën e pronësisë për një person tjetër.
E pandehura dyshohet gjithashtu se gjatë vitit 2016 kishte mashtruar një blerës, duke mos i treguar se nuk posedonte autorizim të vlefshëm për shitjen e pronës. Pagesat bankare ishin kryer në emër të saj, ndërsa dëmi i shkaktuar në këtë rast vlerësohet në 200 mijë euro.
Një rast tjetër i ngjashëm dyshohet se kishte ndodhur në vitin 2018, kur ajo kishte lidhur një parakontratë për shitblerjen e një prone në vlerë prej 170 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, përmes përdorimit të autorizimit të falsifikuar, e pandehura kishte arritur që blerësit t’i njihej e drejta e pronësisë, duke i shkaktuar atij dëm pasuror prej 120 mijë eurosh.
Prokuroria e ngarkon atë me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.
Rasti tashmë është proceduar në gjykatë, ndërsa pretendimet e aktakuzës mbeten për t’u vërtetuar gjatë procesit gjyqësor.







