Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra penale që lidhen me krimet kibernetike, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 19 nëntor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet përkatëse dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari kërkohej nga autoritetet amerikane, ndërsa dorëzimi i tij është bërë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Ai iu dorëzua njësisë amerikane U.S. Marshals, e cila ishte përgjegjëse për marrjen në dorëzim të tij.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në luftimin e kriminalitetit dhe kapjen e personave të kërkuar.







