Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ka pritur të mërkurën presidentin amerikan, Donald Trump, në aeroportin e Shenzhenit, në kuadër të vizitës së tij në Kinë për samitin e APEC-ut.
Trump, i cili mbërriti në Kinë për vizitën e tij të dytë këtë vit, u prit me një ceremoni zyrtare, ku morën pjesë spektatorë entuziastë, një formacion ushtarak dhe një roje nderi.
Xi e përshëndeti personalisht presidentin amerikan në pistën e aeroportit, duke ia kthyer mikpritjen që Trump i kishte rezervuar gjatë vizitës së tij në SHBA në shtator.
Trump u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që zbarkon në Shenzhen, një qytet që është shtëpia e sipërmarrësve të teknologjisë, dronëve që shpërndajnë ushqim dhe superkompjuterit më të shpejtë në botë.
Gjatë takimit, Xi i tha Trumpit se shpresonte që bisedimet mes tyre të kontribuonin në avancimin e një “marrëdhënieje konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme” midis Kinës dhe SHBA-së, të bazuar në “respekt, drejtësi dhe reciprocitet”, raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua, sipas Guardian.
Xi kujtoi gjithashtu pritjen që Trump i kishte bërë në aeroport gjatë vizitës së tij në SHBA në shtator, duke theksuar se mikpritja e Kinës ndaj presidentit amerikan pasqyron traditën e reciprocitetit në marrëdhëniet mes dy vendeve.








