Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim që Jakup Krasniqit t’i mundësohet një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë, për arsye të forta humanitare.
Lajmi është bërë i ditur përmes një përgjigje për Tëvë1 nga Gjykata Speciale, ku thuhet se Trupi Gjykues e ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të organizojë këtë vizitë.
Sipas njoftimit, kjo është vizita e 15-të e këtij lloji që urdhërohet nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe organizohet nga Gjykata.
Specialja ka bërë të ditur se vizitat e tilla nën mbikëqyrje lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila bazohet edhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Tutje, në njoftim sqarohet se çdo kërkesë për vizitë humanitare shqyrtohet nga gjyqtari ose trupi gjykues, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat në momentin e paraqitjes së saj, si dhe urgjencën dhe ndjeshmërinë e situatës.
Vendimet e tilla, sipas Gjykatës, merren në përputhje me kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.







