Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë projektligjesh, nismash dhe kërkesash për ndarje e transferim të mjeteve buxhetore.
Ndër vendimet kryesore janë dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë, të cilat synojnë përmirësimin e sektorit të shëndetësisë përmes pajisjeve të reja mjekësore dhe modernizimit të infrastrukturës spitalore.
Marrëveshja me Bankën Evropiane të Investimeve parasheh blerjen e pajisjeve të reja mjekësore, rehabilitimin e infrastrukturës për vendosjen e tyre, si dhe trajnimin e ekipeve përgjegjëse për mirëmbajtje.
Ndërkaq, marrëveshja me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës ka për qëllim modernizimin e pajisjeve dhe përmirësimin e kushteve në gjashtë spitale publike, përfshirë rritjen e kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese.
Në të njëjtën mbledhje, ekzekutivi ka miratuar edhe disa nisma për marrëveshje financiare me institucione ndërkombëtare, që përfshijnë projekte në sektorë të ndryshëm.
Ndër to janë zhvillimi i sistemit të ujërave të zeza në Prishtinë, përmes bashkëpunimit me KfW-në, përmirësimi i rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike përmes KOSTT-it, si dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta.
Po ashtu, është miratuar nisma për marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë.
Qeveria ka miratuar gjithashtu nismën për marrëveshjen e grantit për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, si dhe kërkesat e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore.
Në mesin e vendimeve janë edhe ndarja e mjeteve për mbulimin e mungesave buxhetore të krijuara si rezultat i alokimeve të parakohshme dhe transferimi i mjeteve buxhetore deri në 25 për qind të ndarjeve të institucioneve të caktuara.
Përmes njoftimit, Qeveria ka bërë të ditur se këto vendime përfshijnë investime në shëndetësi, energji, mjedis dhe infrastrukturë, si dhe rregullime të ndarjeve buxhetore për disa institucione publike.







