Ambasadat amerikane në të gjithë Evropën kanë lëshuar një alarm të koordinuar sigurie për qytetarët amerikanë, duke paralajmëruar për sulme të mundshme terroriste, ndërsa afrohet sezoni i festave.
“Qytetarët amerikanë duhet të mbeten vigjilentë ndaj mjedisit përreth dhe të praktikojnë siguri të shëndoshë personale dhe ndërgjegjësim për situatën”, tha Ambasada e SHBA-së në Londër.
Deklarata lidhet me një alarm sigurie për Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën tjetër të Evropës, shkruan Anadolu.
Deklarata paralajmëroi se tubimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të paraqesin një “objektiv mundësie për grupet terroriste dhe kriminelët”.
Sulmet mund të synojnë vende turistike, si tregjet, qendrat e transportit, qendrat tregtare, vendet e kultit dhe hapësira të tjera publike.
“Qytetarët amerikanë duhet të tregojnë vigjilencë shtesë në festivalet dhe ngjarjet e festave dhe në vende të tjera me turma të mëdha”, shtoi ajo.
Ambasada paralajmëroi gjithashtu për ndërprerje të mundshme të udhëtimeve dhe jetës së përditshme në Evropë gjatë sezonit të festave.
Ajo kujtoi se kërcënimet e rreme me bomba kishin shënjestruar aviacionin civil në disa vende evropiane, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve gjatë këtij muaji.
“Amerikanët duhet të monitorojnë lajmet lokale gjatë udhëtimeve jashtë vendit për pushime, për të qëndruar të informuar rreth ngjarjeve ose zhvillimeve lokale që mund të prishin transportin ose jetën e përditshme”, thuhet në deklaratë.
Ambasada u bëri gjithashtu thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë jashtë vendit që të regjistrohen në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (STEP), gjë që do t’u mundësojë atyre të marrin përditësimet më të fundit të sigurisë për destinacionet e tyre.




