Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së e ka cilësuar të papranueshëm dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në disa pika në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Dy muaj pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, të martën atij iu shqiptua edhe një dënim prej një viti e pesë muajsh burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Jashari tha se i gjithë procesi gjyqësor ka qenë i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, duke pretenduar se në asnjë vendim të kësaj gjykate nuk është bërë drejtësi.
“Dënimi i Thaçit, është i papranueshëm për ne, siç ka qenë i gjithë procesi i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, me kundërshtimet që nga krijimi, dhe gjithë këtë proces që e kemi përcjellë, vetëm në fakt është argumentuar që kjo gjykatë në asnjë rrethanë, në asnjë moment dhe në asnjë vendim nuk ka ndodhur drejtësi. E argumentoj edhe sot që është gjykatë politike, dhe marr të drejtën të them që adresa e kësaj gjykate është në Serbi dhe Rusi. I shtojmë edhe një fakt: meqenëse Hashim Thaçi mori një dënim të padrejtë, si ka mundësi pikërisht kjo seancë të thirret më 17 nëntor, kur mirret parasysh që më 17 nëntor të vitit 1994 është emërtuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga Lëvizja Popullore e Kosovës, dhe ky është edhe një argument shtesë që i vetmi qëllim i kësaj gjykate ka qenë është edhe mbetur për të goditur ushtrinë çlirimtare të Kosovës”, tha Jashari.
Ai ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian dhe shtetet që financojnë Gjykatën Speciale, duke kërkuar reagim ndaj vendimeve të saj.
“Ku është Bashkësia Evropiane? Ku është Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian? Ku janë ato shtete që e financojnë këtë gjykatë të njëanshme, të padrejtë dhe me plot gojë e thënë raciste? Gjithë kjo që ka ndodhur dhe po ndodh për ne është e papranueshme, nga kjo gjykatë, qysh e kemi thënë që nga krijimi e deri më sot, që ne nuk i njohim gjykatat e tilla. Dhe tani dua të bëj edhe një pyetje: ku janë institucionet e Republikës së Kosovës? Dhe nga këtu ju bëjmë edhe një herë thirrje që këto institucione mos guxojnë të bëjnë kompromise dhe pazare me vlerën më kulmore me luftën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, sepse ushtria çlirimtare e Kosovës është vlerë mbi institucione, është vlerë që e ka sjellë lirinë e Kosovës, andaj këto institucione kanë obligim që, kur preket në këtë luftë, duhet të reagojnë, duhet të mbrojnë”, tha ai.
Jashari paralajmëroi edhe ata që, sipas tij, kanë bërë pazare me ligjin, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe drejtësia ndërkombëtare që të mos heshtin.
“Edhe një çështje tjetër dua të them që ata që kanë bërë pazare, ata që kanë luajtur me ligjin, dhe me kërkesën tonë që ka qenë e vetmja kërkesë që të nxirret një nen në këtë ligj mendoj se edhe jeta e tyre politike do të përfundojë me turp. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk është individ, nuk është e grupeve, nuk është e një partie ose tjetrës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e secilit që sot e gëzon lirinë. Ju bëjmë thirrje institucioneve, ju bëjmë thirrje faktorit të drejtësisë ndërkombëtare që mos të rrijë në duarkryq”, tha ai.
Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar ishin edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Gjykata Speciale e dënoi Bashkim Smakajn me 12 muaj burgim. Meqë ai ka kaluar më shumë se 12 muaj në paraburgim, do të lirohet menjëherë. Me nga 12 muaj burgim u dënua edhe Fadil Fazliu.
Ndërkaq, për Isni Kilajn gjykata shpalli aktgjykim lirues, ndërsa Hajredin Kuçit i shqiptoi një muaj burgim me kusht.









