Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, në konferencë për media ka thënë se në ndeshjen ndaj Irlandës të martën do të synohet fitorja.
“Ne kemi pasur përkrahje të madhe dhe gjithmonë i kemi pasur prapa tifozët. Ndeshjet që i përmende kundër Sllovenisë, Sllovakisë, Suedisë, Zvicrës, i kemi pasur pas vete tifozët. Mund të ndodhë pas rezultateve të fundit, por ne do të japim 100 për qind për ta fituar ndeshjen”, tha Asllani.
Asllani ka thënë se ndeshja ndaj Irlandës do të jetë e vështirë. Kosovës i mjafton barazimi në udhëtim të martën për të siguruar vendin e dytë në grup, por sulmuesi i Hoffenheimit thotë se nuk hyhet në ndeshje për barazim.
“Është një lojë kundër një kundërshtari të fortë. e kemi mposhtur në Prishtinë. Atyre u duhet fitorja, neve një barazim mbesim në vendin e dytë. Në futboll nuk luhet për barazim, por për fitore. Jemi dy ekipet e forta dhe të shohim kush do të jetë më i fortë”, tha Asllani.
Kosova zë vendin e dytë në Grupin3 të Ligës B të Ligës së Kombeve me gjashtë pikë nga 5 ndeshje. Është pesë pikë larg Austrisë që ka fituar grupin, ndërsa një pikë ka më shumë se Irlanda që zë vendin e tretë.
Ndeshjen e parë në Prishtinë, Kosova e fitoi 1:0 ndaj Irlandës.
Me përfundimin në vendin e dytë Kosova do të luajë në barazh për ngjitje në Ligën A.








