Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas interpretimit të melodisë së një kënge që ai e cilësoi si nacionaliste serbe, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së e ka cilësuar këtë ngjarje si “më shumë se skandaloze”, duke pretenduar se përmes kësaj kënge mohohet shtetësia e Kosovës dhe shprehen pretendime territoriale ndaj saj.
“Kosova e ka vendin në tryezën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nacionalizmi serb nuk e ka vendin në skenën e tij”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka drejtuar kritika edhe ndaj komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke e akuzuar se po lobon për dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen në Hagë.
Hoxhaj ka kundërshtuar atë që e konsideron presion kundër Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa ka shprehur pakënaqësi edhe për qëndrimet që, sipas tij, janë mbajtur ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Nuk do të heshtim kur vihet në pikëpyetje liria dhe pavarësia e Kosovës. Këtë ua kam thënë partnerëve tanë evropianë atëherë dhe ua them edhe sot”, ka shkruar ai.








