Aktivistët pro-palestinezë bllokuan hyrjen e një fabrike municionesh të kompanisë gjermane Diehl Defence në lindje të Gjermanisë, në orët e para të së hënës, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të eksporteve të armëve gjermane drejt Izraelit.
Mbi 50 aktivistë organizuan një protestë ulur para fabrikës Spreewerk Lübben, duke shënuar kështu nisjen e një jave protestash të organizuara nga grupi “Peacefully Against Genocide”, i cili kundërshton bashkëpunimin e Diehl Defence me prodhuesit izraelitë të armëve, Elbit Systems dhe Rafael.
“Kjo protestë është vetëm fillimi i javës së protestave të organizuara nga Peacefully Against Genocide. Në ditët në vijim synojmë t’i intensifikojmë veprimet tona dhe të dalim në rrugë para edhe më shumë fabrikave të armëve”, deklaruan aktivistët në një komunikatë.
Grupi kritikoi qeverinë gjermane, duke e akuzuar se po vazhdon të miratojë eksportet e armëve drejt Izraelit, pavarësisht luftës në Gaza.
“Qeveria jonë vazhdon të japë licenca për eksportin e armëve drejt Izraelit dhe po e bën veten bashkëfajtore në një gjenocid. Të gjithë kemi detyrimin të bëjmë rezistencë ndaj kësaj\!”, thuhet më tej në deklaratën e grupit, sipas Anadolu.
Fabrika Spreewerk Lübben, e cila daton që nga periudha e ish-Gjermanisë Lindore, u ble në vitin 2024 nga kompania Diehl Defence në bashkëpunim me Tauber Group.
Prodhimi i municioneve në këtë objekt rifilloi gjatë verës së vitit 2026, ndërsa planet parashohin zgjerimin e kapaciteteve deri në vitin 2027, me synimin për të prodhuar artileri dhe raketa.









