Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është njëri nga personat e ndaluar në operacionin policor “Heshtja”, i zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës.
Lajmin për Tëvë1.info e ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi, i cili ka bërë të ditur se Haraqija është intervistuar nga Policia dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh”, ka deklaruar Bokshi.
Sipas avokatit, gjatë këtij operacioni është kontrolluar edhe banesa e Haraqisë, por nga bastisja, siç ka thënë ai, nuk është gjetur asgjë që do ta implikonte klientin e tij në veprën penale për të cilën dyshohet.
“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. I kanë caktuar masën e ndalimit për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim”, ka thënë Bokshi.
Ai ka mohuar se Haraqija ka ndonjë përfshirje në veprën penale që pretendohet nga Prokuroria.
“Sipas komunikimeve të drejtpërdrejta me Astritin, nuk ka lidhje me veprën penale për çka pretendon prokurori”, ka deklaruar avokati.
Operacioni policor i koduar “Heshtja” u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një periudhe të gjatë hetimesh.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar dhe do të vazhdojë procedurën në gjendje të lirë.
Gjatë aksionit dhe bastisjeve të realizuara në disa lokacione, autoritetet kanë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, afërsisht 16 mijë euro para të gatshme, gjashtë automjete, një orë luksoze, stoli të çmuara, një armë zjarri dhe pajisje të tjera.
Vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara, sipas Policisë, arrin në rreth 301 mijë euro.




