Një aksion policor është zhvilluar të premten në gjashtë lokacione të ndryshme në Mitrovicën e Jugut, ku tre persona janë arrestuar nën dyshimin për organizim të lojërave të fatit.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh.
Sipas policisë, kontrollet janë kryer në pronat e tre personave të dyshuar.
Gjatë kontrolleve, si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar nëntë telefona dhe pajisje elektronike, një DVR i kamerave, 6 mijë e 844 euro e 80 centë, një pistoletë, dhjetë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një automjet.
Po ashtu, policia ka konfiskuar një kavanoz me rreth 10 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike, katër mullinj për bluarjen e narkotikëve, një cigare me substancë narkotike, një valixhe me pajisje për bixhoz, përfshirë karta dhe çipa, nëntë kartela bankare, 21 dokumente të ndryshme dhe një sprej OC.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“Lidhur me rastin është raportuar se me 13.11.2026 janë kontrolluar 6 lokacione të ndryshme pronë e tre të dyshuarve meshkuj kosovarë nën dyshimin se të njëjtit janë duke zhvilluar lojëra të fatit. Si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar : 9 telefona dhe pajisje elektronike, një DVR i kamerave, 6.844,80€, një armë –pistoletë, 10 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një automjet, një kavanoz me 10 gramë substanca që dyshohet të jenë narkotike, 4 mullinj për bluarje të narkotikëve, një cigare me narkotikë, një valixhe me pajise për bixhoz (karta dhe çipa), 9 kartela bankare, 21 dokumente të ndryshme dhe një sprej-OC. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./teve1.info/







