Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përmes një postimi, Haxhiu ka njoftuar se vetëm dy javë pas miratimit në Kuvend, ligji po kalon në fazën e zbatimit.
Ajo ka theksuar se pasuria e secilit person që ushtron funksion publik duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar.
Haxhiu ka bërë të ditur gjithashtu se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë, ndërsa efektiviteti i ligjit, sipas saj, do të vlerësohet përmes rezultateve konkrete.
“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar.
Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.
Me këtë rast, ligji hyn në një fazë të rëndësishme drejt zbatimit, ndërsa mbetet të shihet se si do të zhvillohet procesi i funksionalizimit të Byrosë.







