Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin e rezervave shtetërore, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kjo çështje penale të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.
Në mesin e të pandehurve është edhe ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në ankesa, kolegji ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë është nxjerrë në përputhje me dispozitat e procedurës penale dhe mbështetet në provat dhe dëshmitë e administruara në këtë çështje.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve të lartcekur, duke e vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.68/2025, të datës 13.03.2026”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit ngarkohen me vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, ndihmën në kryerjen e kësaj vepre penale dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare.
Me këtë vendim, Apeli ka konfirmuar se çështja penale do të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Vendimi nuk paraqet shpallje fajësie për të pandehurit, por konfirmon vazhdimin e procedurës gjyqësore.







