Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë përkohësisht për shkak të mungesës së kuorumit, duke mbetur pa u votuar edhe propozim-rezoluta për sigurimin e barnave esenciale për pacientët me sëmundje onkologjike.
Rezoluta është prezantuar nga deputetja e PDK-së, Sala Jashari, e cila ka kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale për të garantuar furnizimin e vazhdueshëm me terapi për pacientët e Klinikës së Onkologjisë.
Përmes këtij propozimi kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja të marrin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e mungesave të barnave dhe ndërprerjen e trajtimit të pacientëve.
Ndër pikat kryesore të rezolutës është kërkesa që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditësh nga miratimi i saj, të raportojë në Kuvend për mungesat e barnave onkologjike nga 1 janari deri më 22 tetor 2026, duke përfshirë numrin e pacientëve të prekur dhe arsyet e mosfurnizimit.
Gjithashtu, kërkohet krijimi i një sistemi të paralajmërimit të hershëm për mungesat e barnave, përcaktimi i rezervave minimale dhe shqyrtimi i mundësisë së kompensimit të pacientëve që kanë blerë me shpenzimet e tyre barnat që mungonin në institucionet publike.
Rezoluta përfshin edhe kërkesën për identifikimin e përgjegjësive institucionale lidhur me vonesat në furnizimin me barna, përfshirë palbociclib dhe bleomicinë.
Pavarësisht rëndësisë së çështjes së ngritur, propozimi nuk u hodh në votim, pasi në sallën plenare ishin të pranishëm vetëm 48 deputetë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se punimet do të vazhdojnë në orën 16:30, pas pauzës së caktuar për shkak të mungesës së kuorumit./teve1.info/







