Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim drejtoreshën ekzekutive të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi, dhe përfaqësuesen e Terre des hommes Kosovë, Marija Vuksani, me të cilat ka diskutuar për forcimin e mekanizmave të raportimit dhe mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile, si dhe për avancimin e mekanizmave që mundësojnë raportimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve.
Me këtë rast, ministrja Gërvalla ka vlerësuar projektin e KOMF-it, “Platforma Digjitale për Raportimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Fëmijëve”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Projekti synon t’u mundësojë fëmijëve raportimin e dhunës dhe abuzimit përmes një mekanizmi digjital të sigurt dhe miqësor për ta.
Në kuadër të tij parashihet pilotimi i platformës në 55 shkolla, trajnimi i profesionistëve dhe hartimi i standardeve për trajtimin e rasteve të raportuara, me synimin që platforma të funksionalizohet deri në vitin 2028.
Gjatë takimit është riafirmuar edhe rëndësia e funksionalizimit të Linjës Telefonike për Fëmijë, si një mekanizëm plotësues që do të ofrojë më shumë mundësi për raportimin e dhunës dhe qasje në mbrojtje.
“Mbrojtja e fëmijëve kërkon që asnjë formë dhune të mos relativizohet, asnjë sinjal të mos shpërfillet dhe asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare, do të angazhohet në mbështetje të nismave dhe përpjekjeve që synojnë ta bëjnë mbrojtjen e fëmijëve reale dhe të pakushtëzuar.
“Mënyra se si një shoqëri i mbron fëmijët është një nga matësit më të rëndësishëm të drejtësisë dhe përgjegjësisë së saj”, ka theksuar ministrja.








