Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) ka organizuar sot konferencën vjetore të Konsorciumit të Institucioneve për Zhvillim dhe Hulumtim në Arsim në Evropë (CIDREE), me temën “Zhvillimi Profesional i Mësimdhënësve gjatë Shërbimit – Praktikat Aktuale, Sfidat, Trendet dhe Mundësitë”.
Amantina Previzaj Kelmendi, nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, tha se ky institut gjatë këtij viti ka zgjeruar angazhimin e tij.
“Së fundmi, në vitin 2026, instituti ynë e ka zgjeruar më tej angazhimin përmes pjesëmarrjes në projektin MASA, të udhëhequr nga Irlanda, si dhe përmes takimeve të shkëmbimit të njohurive dhe aktiviteteve të tjera profesionale brenda rrjetit. Gjatë gjithë këtyre viteve, vazhdimësia e bashkëpunimit tonë është mbështetur gjithmonë nga puna e koordinatorëve tanë nacionalë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e komunikimit dhe forcimin e lidhjes ndërmjet institutit tonë dhe konsorciumit CIDREE”, tha ajo.
Ndërsa Rebecca Satterfield, përfaqësuese e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se partneriteti i kësaj ambasade me Kosovën në fushën e arsimit është i gjerë.
Ambasada amerikane: Partneriteti me Kosovën në arsim shkon përtej bursave, mbështesim edhe mësimdhënësit
“Partneriteti i Ambasadës së SHBA-së m.e Kosovën në fushën e arsimit shkon përtej bursave për shkëmbime universitare në Shtetet e Bashkuara dhe shtrihet edhe në vetë klasat shkollore. Kemi punuar ngushtë me institucionet dhe partnerët arsimorë të Kosovës, përfshirë Rrjetin e Mësimdhënësve të Gjuhës Angleze në Kosovë (KETN). Së bashku, kemi sjellë ekspertizë amerikane në trajnimin e mësimdhënësve, si dhe u kemi ofruar mësimdhënësve kosovarë mundësi për zhvillim profesional në Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.
Në këtë ngjarje ishte paraparë të merrte pjesë edhe ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, por ai e anuloi pjesëmarrjen për shkak të seancës plenare, e cila mbahej në të njëjtën kohë me konferencën.







