Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që vizitat e politikanëve nga Serbia në Kosovë të rregullohen përmes një protokolli të veçantë, me kritere të qarta për dhënien e lejeve, monitorim gjatë qëndrimit dhe masa ndëshkuese në rast të shkeljes së ligjeve të vendit.
Duke folur në Kuvend, Haradinaj ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të kenë kontroll më të madh mbi vizitat e zyrtarëve dhe politikanëve serbë, veçanërisht në rastet kur ata gjatë qëndrimit në vend bëjnë deklarata që cenojnë rendin kushtetues apo nxisin përçarje dhe urrejtje.
“Vizita e politikanëve nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohet me protokoll të vizitave dhe dhënia e lejeve duhet të bëhet me kritere të qarta. Vizitat duhet të monitorohen gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. Në rast se gjatë këtyre vizitave ndodh shkelje ose cenim i rendit kushtetues, apo dërgohen porosi përçarëse dhe të urrejtjes, duhet të zbatohet ligji i Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka paralajmëruar se në rast të përsëritjes së situatave të tilla, do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet dhe zyrtarët që nuk i kryejnë detyrat e tyre në trajtimin e këtyre vizitave.
“Pse dola në këtë foltore? Dola sepse herën tjetër do të kërkojmë përgjegjësi nga kushdo që ka bërë lëshime dhe nga cilado instancë që nuk e ka kryer punën e vet në rast të këtyre vizitave. Do ta adresojmë te kjo adresë”, është shprehur ai.
Haradinaj ka kërkuar gjithashtu ashpërsimin e kritereve për lejimin e hyrjes në Kosovë për politikanët serbë që kanë bërë deklarata kundër rendit kushtetues të vendit.
“Vizitat nga Serbia, kriteri i dhënies së lejes edhe mund të ashpërsohet. Mund t’u ndalohen vizitat atyre që në raste të caktuara kanë bërë deklarime dhe kanë sulmuar rendin kushtetues. Kur vijnë politikanë nëpër tempuj fetarë dhe bëjnë deklarata përçarëse, ju e dini që kjo shkakton pasoja në vend”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, interesi i sigurisë së Kosovës duhet të jetë përcaktues në vendimet për lejimin e vizitave të tilla. Ai ka kërkuar që personave që kanë bërë deklarata që nxisin tensione t’u ndalohet hyrja në vend.
“Interesin e sigurisë së Kosovës, të gjithë ata politikanë nga Serbia që ndonjëherë kanë bërë deklarata të tilla, duhet t’u ndalohet hyrja në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Kosovë, nëse dikush nga ta nuk i përmbahet rregullave dhe protokolleve të lejes së dhënë, duhet t’i ndërpritet leja dhe duhet të arrestohet”, ka theksuar ai.
Në fund, Haradinaj ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të koordinojnë veprimet dhe të sigurojnë që situata të tilla të mos përsëriten.







