Analisti Burim Korqa ka komentuar paqartësitë dhe debatet rreth projektligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, i cili është rikthyer në Kuvend për shqyrtim, duke vlerësuar se është bërë nguti në përpjekjen për ta votuar atë.
Në një intervistë në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Korqa ka folur për qëndrimet e partive politike lidhur me këtë çështje, duke u ndalur veçanërisht te deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje për arsyet e mbështetjes së ligjit.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti ka shprehur rezerva për ngutinë në miratimin e projektligjit, por ka lënë të kuptohet se mbështetja e tij lidhet edhe me insistimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe dëshirën për të mos krijuar përshtypjen se po kundërshtohet mbështetja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Drejt për drejt, Kurti ka thënë se ky ligj është i ngutshëm, mirëpo, meqë po insiston PDK-ja dhe për të mos dalë se ne nuk duam ta mbështesim UÇK-në, ne po e votojmë. Edhe paraprakisht ai ka treguar se jemi duke u ngutur. Ndërsa unë mendoj se PDK-ja, fatkeqësisht, e ka bërë një autogol për veten e vet, sepse tani kjo mund t’i kushtojë më shumë PDK-së. Por le të shpresojmë që të mos i kushtojë katërshes së UÇK-së që ndodhet në Hagë dhe që të mund t’i ndihmojë, sidomos në procesin e apelit”, ka deklaruar Korqa.
Ai është pyetur edhe për rëndësinë që ka ky ligj dhe ndikimin e mundshëm të tij në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Korqa ka vlerësuar se, përtej ndryshimeve ligjore, më e rëndësishme është që Qeveria e Kosovës të hartojë një strategji të qartë dhe të shpejtë për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke marrë parasysh kohën e kufizuar në dispozicion.
“Unë kisha me thënë se shumë më e rëndësishme është strategjia që duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës dhe grupi që është formuar, sepse kemi kohë shumë të shkurtër. Ne e dimë që UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe mbrojtëse, dhe këtë duhet ta dëshmojmë. Nuk duhet ta lëmë këtë rast, sepse njerëzit nuk kanë besuar në një gjykim të tillë”, është shprehur ai.
Sa i përket ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, analisti ka shprehur shqetësimin se një ndërhyrje e tillë mund të krijojë probleme të reja dhe të mos sjellë përfitimin e synuar për ish-krerët e UÇK-së.
“Sa i përket ligjit, unë mendoj se është shumë problematike nëse ndryshohet. Mendoj se ose duhet të bëhet një ligj krejtësisht i ri, ose ndryshimet që janë kundërshtuar nga aleatët nuk mendoj se do t’i ndihmojnë katërshes në Hagë”, ka deklaruar Korqa në emisionin “Ditari” në Tëvë1.




