Autor: Unintet Berisha
Meqë Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, që është kryetar vetë, dështoi të mblidhej për shkak të mungesës së kuorumit në orën 09:00, Burim Ramadani shkoi në komisionin ku është veç anëtar, atë të Mbikëqyrjes së Financave.
E derisa u bë ora 12:00, meqë ishte orari i ri i caktuar për këtë komision, Ramadanit i doli një problem i ri.
Sallën 302 e kishte të zënë.
E Ramadani dhe 7 anëtarët tjerë të këtij komisioni u sollën pak në Kuvend derisa gjetën sallën ku edhe mund të diskutonin.
Rendi i ditës u votua me unanimitet, ku ishte edhe zgjedhja e ekspertëve që këtë komision ta ndihmojnë në hetimin e detajshëm që çoi deri në vrasjen e Arlinda Zekajt.
“Deri më tash kanë aplikuar 7 kandidatë që vijnë edhe nga e drejta penale, edhe nga fusha e dhunës në familje, edhe e dhunës në baza gjinore”, tha Ramadani.
Emina Avdyli Buzhala, Besarta Breznica dhe Skender Kandiq janë emrat që morën më shumë vota nga anëtarët e komisionit, megjithatë, vetëm për njërën të gjithë u bënë bashkë.
Komisioni pas kësaj vazhdoi me pikat e cilësuara si të ndryshme dhe në fund u pajtuan që të takohen edhe në ditët në vazhdim.
Por, njohësit e fushës thonë se ky komision është i nevojshëm, por puna hetimore duhet të kryhet diku tjetër.
“Është e rëndësishme që puna e këtij komisioni të kryhet si duhet, por nuk e zëvendëson nevojën për hetime të thella brenda Policisë së Kosovës, brenda sistemit prokurorial, gjykatave dhe QPS-ve”, tha Gwzim Shala nga IKD.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj.






