Në duar mbajnë pranga.
Dy vëllezërit, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, po vazhdojnë betejën me drejtësinë për vepra të rënda penale.
Ata akuzohen për sulmin e kanalit të Ibër Lepencit në nëntor të vitit 2024, ku Prokuroria Speciale i ngarkon me përgjegjësi penale për terrorizëm dhe Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
Procesi gjyqësor ndaj tyre, ka nisur qysh nga dhjetori i vitit të kaluar.
Mirëpo, përbërja e trupit gjykues ka pësuar ndryshime, pas pensionimit të kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili.
Drejtimin e këtij gjyqi të rëndësishëm, e mori gjyqtari Leon Përlaska, kurse si anëtar u shtua gjyqtari Lutfi Shala.
Rrjedhimisht, ky gjykim nisi që nga fillimi.
Të akuzuarit u deklaruan sërish rreth fajësisë së tyre.
“Jovan, cili është deklarimi yt për veprat të cilat të vihen në barrë?”, u shpreh Leon Përlaska, kryetar i trupit gjykues.
“Jo, nuk ndihem fajtor, për asnjërën pikë.”, tha Jovan Viqentijeviq i akuzuar
“Dragisha, a e ndien veten fajtor?”, e pyeti kreytatri i trupit gjykues të akuzuarin tjetër, Dragisha Viqentijeviq.
“Jo”, ishte pwrgjigjeja e tij.
Krahas vëllezërve Viqentijeviq, në këtë procedurë penale është edhe Igor Demoviq.
Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje, akuzën të cilën e mohoi.
“E nderuar gjykatë, nuk ndihem fajtor”, tha ai.
Tutje u vazhdua me fjalët hyrëse, ku palët u deklaruan se mbeten pranë fjalëve hyrëse të dhëna në seancën e kaluar.
“Qëndroj pranë fjalës hyrëse në tërësi”, tha Bekim Kodraliu-Prokuror Special
Trupi gjykues vendosi që të konsiderohen të lexuara edhe deklaratat e tjera të dëshmitarëve që janë dëgjuar deri më tani në këtë gjykim.
Vazhdimi i këtij procesi gjyqësor, u caktua që të vazhdohet në muajin dhjetor, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët nga radhët e mbrojtjes.






