Deri më tani, 20 orë punën i bën në klasë dhe 20 të tjera jashtë shkollës.
Por, kontrata e fundit që iu ofrua mësimdhënësve të ri të punësuar në Komunën e Prishtinës, kërkon që gjithë këto orë, të bëhen brenda shkollës.
Si kontratës së re, një mësimdhënësi do t’i duhet të punojë çdo ditë nga 8 orë në shkollë, apo 40 orë në jave.
E këtë ide, Drejtoria e Arsimit e në Prishtinë, e kishte planifikuar edhe për të gjithë mësuesit deri në fundit të nëntorit.
Por një thirrje nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit që kontratat e reja të mos nënshkruhen e la në gjysmë këtë iniciativë.
E kjo, çoi në një takim mes DKA-së në Prishtinë dhe SBASHK-ut.
“Ne kemi mbajt një takim me SBASHK ku jemi ra në dakord për unifikimin e këtyre kontratave edhe ne nivel nacional dhe jemi duke pritur edhe nga komunat tjera që të reflektojnë. Që të gjithë drejtorët komunal në secilën komunë të reflektojnë edhe të adresojnë këtë kërkesë të mësimdhënësve por edhe kërkesën e legjislacionit që në obligon në raport me kontratat që të kemi një kontratë të unifikuar që është në dobi të mësimdhënësit, në dobi të nxënësit dhe komunave përkatëse. Jemi duke pritur një unifikim të tillë, kemi dhënë një afat kohor që të bëhet ky unifikim, në raport me tetëorëshin që është diskutuar”, ka thënë Elshani.
E afati sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit është deri në fund të muajit janar.
“Arritëm në një përfundim që kontrata që ka pasur tendenca që të shpërndahet të mos bëhet kjo dhe të presim deri me 31 janar që shpresojmë shumë që deri në atë kohë do të ulemi të gjitha palët. SBASHK, DKA-të dhe MASH-i, për të pasur një kontratë nëse duhet të re. Nëse mbetet kjo ne mjegull 40 orë mund të dal ndonjë drejtor që thotë e ke nënshkruar kontratë duhet të qëndrosh tetë orë në shkollë pa pasur asnjë angazhim”, ka thënë Jashari.
Sipas kryetarit të SBASHK çdo kontratë e re është e panevojshme.
“Ne e kundërshtojmë dhe nëse ka nevojë të bëhet ndonjë ndryshim eventual në kontratë atëherë duhet të bëhet me një shtesë, me një aneks të kontratës sepse pala tjetër po arsyetohet se kjo po bëhet gjoja për koeficient, nëse bëhet për këtë të shtohet një aneks i kontratës, por jo të bëhet një konratë e re pa një marrëveshje ndërmjet SBASHK, DKA dhe MASH”, u shpreh tutje Jashari.
Edhe sipas njohësit të arsimit, Ismet Potera duhet të analizohen mirë ndryshimet që planifikohen të bëhen meqenëse sipas tij mund të ketë edhe pasoja juridike.
“Nëse vërtetë mendojnë më mbajt mësim 40 orë, nuk e di si e kanë paraparë por mund të këtë pasoja juridike në të ardhmen. Ajo mund të ketë efekt pozitiv të ngritjes se cilësi por kjo varet se si shkolla e menaxhon, sa janë kapacitet edhe fizike edhe teknologjike të shkollës për më bo një tgjë të tillë, për më siguru një vend të punës ekstra të mësimdhënësit jashtë klasës, pasi ai në klasë nuk ka më qëndruar por ka më bo përgatitje… e nëse nuk i ka këto mundësi ai mund të rrijë kot në shkollë por cilësia nuk përmirësohet”, ka thënë Potera.
Ndryshe, kontrata të reja mësimdhënësve gjatë këtij viti, u ka ofruar edhe Komuna e Vushtrrisë.
Por, sipas SBASHK, ato nuk kishin bazë juridike.






