Mesfushorit të Gjilanit, Arjon Bllacës, i ka takuar epiteti i futbollistit më të mirë për javën e fundit në Superligën e Kosovës në futboll.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të hënën ka njoftuar, se Bllaca është zgjedhur më i mirë për xhiron e 13-të, duke e fituar çmimin “Ylli i Javës”.
“Pas ndeshjeve të xhiros së trembëdhjetë, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilani, Arjol Bllaca, i cili ishte protagonist kryesor në përballjen e skuadrës së tij kundër FC Malishevës”, ka shkruar FFK.
Vlerësimin e më të mirit të javës, si zakonisht e ka bërë Komisioni i Veteranëve të futbollit, duke vlerësuar lart paraqitjen e Bllacës.
Në fakt, Bllaca ishte më i merituari për fitoren e Gjilanit në shtëpi ndaj Malishevës me rezultatin e ngushtë 3:2.
Bllaca ishte i pazëvendësueshëm te Gjilani, ndërsa në këtë triumf të rëndësishëm, ai kontribuoi me dy gola dhe një asistim.
Thënë shkurt, kontributi i Bllacës te Gjilani ishte vendimtar pasi ndikoi direkt në lojën e skuadrës së drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani.









