Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për prioritetet legjislative të Kuvendit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.
Përmes një njoftimi, Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat që synohet të shtyhen përpara përmes dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar.
Një tjetër temë e diskutimit ishin projektligjet që ndërlidhen me Planin e Rritjes, si dhe rëndësia e shqyrtimit dhe miratimit të tyre brenda afateve të parapara.
“Me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, biseduam për përparësitë legjislative të Kuvendit dhe rolin e tij në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.Theksova përkushtimin për të çuar përpara reformat përmes dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar.Diskutuam edhe për projektligjet që lidhen me Planin e Rritjes dhe rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar për shqyrtimin e tyre të mirëfilltë dhe miratimin brenda afateve të parashikuara. E falënderova ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe shpreha gatishmërinë për ta zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin tonë”, thuhet në njoftimin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.







