Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar menaxhimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke thënë se pavarësisht buxhetit prej 358 milionë eurosh për vitin 2025, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave esenciale dhe shërbimeve shëndetësore.
Duke iu referuar raportit të progresit të Komisionit Evropian, Zemaj tha se problemet në shëndetësi janë të thella dhe lidhen me menaxhimin, planifikimin dhe zbatimin e reformave.
“Raporti i progresit nuk paraqet thjesht disa vërejtje teknike, por evidenton problemet e thella në menaxhimin, planifikimin dhe funksionimin e sistemit tonë shëndetësor. Ky raport e rrëzon propagandën qeveritare për suksesin në shëndetësi dhe vendos përballë realitetit të spitaleve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë”, deklaroi Zemaj.
Ai theksoi se rritja e buxhetit nuk po reflektohet në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Të nderuar kolegë, qytetarë, çfarë kemi sot? Kemi buxhet më të madh, por barna esenciale që vazhdojnë të mungojnë. Kemi planet e miratuara për programe që nuk zbatohen. Kemi premtime për digjitalizim, por sistem informativ shëndetësor të fragmentuar dhe jo funksional. Kemi institucione që flasin për reforma, por nuk arrijnë asnjëherë t’i zbatojnë ato”, u shpreh ai.
Zemaj përmendi edhe buxhetin prej 358 milionë eurosh të ndarë për shëndetësinë gjatë vitit 2025, duke ngritur shqetësimin se një pjesë e mjeteve nuk është shpenzuar, ndërsa pacientët vazhdojnë t’i sigurojnë vetë barnat dhe terapitë.
“Megjithatë, një pjesë e mjeteve nuk ka arritur të shpenzohet, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe shërbimeve esenciale. Kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjet qeveria: si është e mundur që kemi miliona në dispozicion, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë?”, tha Zemaj.
Në fund, deputeti i LDK-së ngriti dyshime për mënyrën e menaxhimit të fondeve dhe procedurat e prokurimit.
“A është një pyetje paaftësia, keqmenaxhimi apo tenderët njëburimor? Unë besoj se është kjo e fundit”, përfundoi Zemaj.







