Avni Arifi, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës ka thënë se nuk pret asgjë nga Strategjia Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se nuk pe sheh qasje serioze sa i përket çështjes së ish-krerëve të UÇK-së.
“Kurgjo hiç, si të çojnë fjalë të mëdha, strategji kombëtare, sen s’ka prej asaj pune. Mënyra qysh është tu ju qas Kosova kësaj çështje, nuk është që fitohet në Apel. Nuk po shohë që po flasin në mënyrë serioze që dëshirojnë ata njerëz po donë mu lirua”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, i kryesuar nga Glauk Konjufca ministër i Jashtëm, dhe i përfaqësuar nga Kuvendi dhe përfaqësues të subjekteve politike.
Arifi ka folur edhe për Ligjin për Dhomat e Specializuara i cili është kthyer në Kuvend nga presidentja pas kërkesës së PDK-së.
Ai ka thënë se personalisht nuk pret që ligji të kthehet në procedurat e miratimit.
“Personalisht nuk besoj që ai ligj kthehet në procedurë e aprovimit, sepse dihet raporti, ligji kthehet në Komision, por Komisioni nuk ka drejt me ndërhyrë, ato ndryshimet që kanë dashtë mi bë nuk munden. Ligji duhet me u kthy në Ministrinë e Drejtësisë e kur kthehet duhet të bëhet nga fillimi dhe nëse bëhet prej fillimit, nuk besoj që mbërrin ma Kuvendi me bë. Ky është mendimi im personal, jo i partisë”, ka thënë ai.
I pyetur për qëndrimin e partisë për këtë ligj ai tha se “Nuk janë shpreh qartazi, por shohin vështirësi në proces”.
Arifi tha se ky veprim mund të sjellë pasoja për ish-krerët e UÇK-së.
Por, ai ka thënë se si parti janë të gatshëm të kontribuojnë në çdo aspekt në lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.








