Policia e Kosovës ka realizuar të mërkurën dy ekstradime ndërkombëtare, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë dhe autoritetet policore të shteteve partnere.
Sipas njoftimit të Policisë, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, është bërë ekstradimi i dy personave të kërkuar përmes INTERPOL-it.
Në rastin e parë, një shtetas gjerman, me inicialet D.J., është ekstraduar nga Kosova drejt Gjermanisë.
Ai kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet gjermane të drejtësisë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të trafikimit me narkotikë.
Ndërkaq, në rastin e dytë, një shtetas i Kosovës, me inicialet B.B., është ekstraduar nga Italia në Kosovë.
Ai kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të fajdesë dhe detyrimit./teve1.info/








