Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar më shumë se 40 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë ndaj kërcënimeve të sponsorizuara nga qeveri të huaja.
Lajmi u bë i ditur gjatë Konferencës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në Shqipëri, ku ambasadori amerikan Eric Wendt vlerësoi përparimin e vendit në forcimin e qëndrueshmërisë digjitale dhe zhvillimin e kapaciteteve për t’u përballur me sulmet kibernetike.
Një pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve përqendrohet edhe në përgatitjen dhe trajnimin e ekspertëve të rinj të sigurisë kibernetike, përmes programeve të përbashkëta si CyberNext.
Sipas ambasadës amerikane, partneriteti synon të kontribuojë në ndërtimin e një infrastrukture digjitale më të fortë dhe më të sigurt, jo vetëm për Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe për NATO-n.
Investimi prej mbi 40 milionë dollarësh vjen në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve për rritjen e sigurisë kibernetike dhe përballimin e kërcënimeve që vijnë nga aktorë të mbështetur nga shtete të huaja.










