Një person është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë në Pejë, nën dyshimin për përfshirje në dy vepra penale kundër integritetit seksual.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Pejë ka ndërmarrë veprimet e para hetimore, ndërsa prokurori i shtetit ka paraqitur kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Lajmin për tëvë1 e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se personi është ndaluar për 48 orë për shkak të dyshimeve për kryerjen e dy veprave penale.
“Ajo çka mund të konfirmoj është se një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale kundër integritetit seksual. Për të njëjtin, prokurori i shtetit ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprat penale të cilat i vihen në barrë”, ka deklaruar Nikçi.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se viktima ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe aktualisht është nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit pritet të shqyrtohet nga gjykata.







