Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka deklaruar se nuk pret ndryshime të mëdha në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Lista Studentore, e cila pritet të formojë qeverinë e re në Serbi pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.
Në emisionin “Matrix” në Tëvë1, Kulla ka theksuar se qëndrimi i qeverisë së re ndaj Kosovës do të varet kryesisht nga dy faktorë: marrëdhëniet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, nëse Perëndimi i vendos Serbisë vija të kuqe në raport me Rusinë, atëherë Beogradi mund të detyrohet të ndryshojë strategjinë që ka ndjekur deri më tani ndaj Kosovës.
“Unë nuk pres ndonjë ndryshim kushedi se çfarë, për shkak të rolit që ka Kisha Serbe atje dhe motivimit politik për të krijuar këtë koalicion të përbashkët të studentëve për t’i sjellë në pushtet. Por kjo do të varet shumë nga dy faktorë të rëndësishëm: marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e Serbisë me SHBA-në”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka shtuar se presioni i Perëndimit ndaj Serbisë për raportet me Rusinë mund të ndikojë që kjo e fundit të rishikojë qasjen e saj ndaj Kosovës, duke përmendur edhe tensionet e krijuara gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
“Unë mendoj se Perëndimi duhet t’i vendosë Serbisë një vijë të kuqe në marrëdhëniet me Rusinë. Në anën tjetër, besoj se Serbia do të detyrohet të ulet në tryezën e bisedimeve dhe ta ndryshojë strategjinë që ka ndjekur deri më tani Vuçiqi ndaj Kosovës. Të mos harrojmë se Vuçiqi, para tri vitesh, për pak sa nuk e çoi Kosovën drejt një konflikti të armatosur”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, duke komentuar rezultatin e Koalicionit Shqiptar, i cili siguroi dy mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Kulla e ka vlerësuar këtë rezultat si të rëndësishëm.
Ai ka theksuar se dy deputetët shqiptarë duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë përfaqësim në raport me zhvillimet e reja politike në Beograd.
“Në rastin tonë kemi një rritje, jo pak. Koalicioni shqiptar çon dy deputetë dhe është shumë e rëndësishme që koalicioni shqiptar, me këta dy deputetë, ta maksimalizojë rezultatin e vet në raport me ndryshimin që po ndodh në Beograd. Koalicioni shqiptar me dy deputetë ka pothuajse të njëjtin numër deputetësh që kanë edhe hungarezët e Vojvodinës”, ka thënë Kulla./teve1.info/




