Më 3 nëntor, amerikanët do të votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, një proces zgjedhor që zhvillohet çdo dy vjet, në gjysmën e mandatit katërvjeçar të presidentit.
Këtë herë, vota e qytetarëve do të përcaktojë se cila parti do ta kontrollojë Kongresin amerikan: republikanët e presidentit Donald Trump apo demokratët e opozitës.
Për ta kuptuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, duhet ditur se në sistemin politik amerikan presidenti nuk i merr të gjitha vendimet i vetëm. Ai ka nevojë për bashkëpunimin e Kongresit, i cili është përgjegjës për miratimin e ligjeve federale, buxhetit dhe mbikëqyrjen e punës së qeverisë.
Prandaj, zgjedhjet e 3 nëntorit nuk do të përcaktojnë se kush do të jetë president, por kush do të ketë shumicën në institucionin që mund t’ia lehtësojë ose vështirësojë presidentit zbatimin e politikave të tij.
Për amerikanët, kjo është gjithashtu një mundësi për të treguar nëse janë të kënaqur me dy vitet e para të mandatit të Trumpit apo nëse duan që opozita të ketë më shumë ndikim në vendimmarrje.
Çfarë votohet dhe kush merr pjesë në zgjedhje?
Pjesëmarrja pritet të jetë e lartë. Më shumë se 100 milionë njerëz mund të votojnë, nëse pjesëmarrja është e ngjashme me atë të zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2022.
Votimi i parakohshëm është rritur në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026 në Shtetet e Bashkuara , me më shumë se 50 milionë amerikanë që kanë hedhur votat e tyre deri të dielën, sipas një analize nga Universiteti i Floridës.
Shumica e 50 shteteve lejojnë votimin e hershëm personal, ndërsa të gjitha lejojnë votimin me postë. Rreth 23 milionë njerëz votuan përmes fletëvotimeve me postë, të cilat Presidenti Donald Trump u përpoq pa sukses t’i frenonte para zgjedhjeve.
Votimi i parakohshëm u jep qytetarëve amerikanë mundësinë të hedhin votën e tyre para Ditës së Zgjedhjeve.
Votimi bëhet për zgjedhjen e përfaqësuesëve në Kongres dhe në institucionet shtetërore.
Kongresi amerikan përbëhet nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
Në Dhomën e Përfaqësuesve do të zgjidhen të 435 anëtarët. Ata shërbejnë për mandate dyvjeçare dhe kanë rol të rëndësishëm në propozimin, diskutimin dhe miratimin e ligjeve.
Ndërkohë, në Senat do të votohen 35 nga 100 ulëset. Senatorët kanë mandate gjashtëvjeçare dhe, ndër të tjera, miratojnë ose bllokojnë ligjet e propozuara nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Përveç Kongresit, qytetarët do të votojnë edhe për pozita të ndryshme në nivel shtetëror. Ndër garat më të rëndësishme janë ato për guvernator në Kaliforni, Florida, Xhorxhia dhe Michigan.
Pra, rezultati do të përcaktojë jo vetëm përbërjen e Kongresit, por edhe drejtimin politik në disa prej shteteve më të rëndësishme amerikane.
Cilat janë çështjet kryesore që mund të përcaktojnë votën?
Ekonomia është ndër shqetësimet kryesore të votuesve. Çmimet e karburantit, ushqimeve, banimit dhe kujdesit shëndetësor janë çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të amerikanëve.
Inflacioni mbetet mbi nivelin e synuar nga Rezerva Federale e SHBA-së, pjesërisht për shkak të luftës që SHBA-ja dhe Izraeli nisën kundër Iranit në shkurt.
Politika tarifore e presidentit dhe vendimi i tij për të nisur një luftë me Izraelin kundër Iranit po dëmtojnë Partinë e tij Republikane. Të dyja janë fajësuar për kontributin në një krizë të kostos së jetesës.
Një tjetër çështje e rëndësishme është imigracioni. Republikanët thonë se Trump ka përmbushur një nga premtimet kryesore të fushatës së vitit 2024, duke forcuar kontrollin kufitar dhe duke nisur një fushatë të gjerë kundër imigracionit të paligjshëm. Megjithatë, mënyra se si po zbatohet kjo politikë ka shkaktuar edhe polemika të shumta.
Këto çështje, së bashku me vlerësimin e përgjithshëm të punës së presidentit, pritet të ndikojnë në mënyrën se si qytetarët do të votojnë.
Kush pritet të fitojë?
Tradicionalisht, partia e presidentit ka tendencë të humbasë vende në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Kjo ndodh sepse votuesit shpesh e përdorin këtë proces për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të presidentit.
Edhe këtë vit, demokratët po synojnë të fitojnë më shumë vende dhe të marrin kontrollin e Kongresit.
Sondazhet tregojnë se mbështetja për Trumpin ka rënë. Ai e nisi mandatin e dytë me një vlerësim miratimi pak mbi 50 për qind, sipas Silver Bulletin, ndërsa në fillim të tetorit ky vlerësim kishte rënë në rreth 37 për qind. Ndërkohë, 61 për qind e amerikanëve nuk e miratonin punën e tij.
Megjithatë, rezultati nuk është i sigurt. Jo të gjitha zonat zgjedhore janë konkurruese, pasi disa konsiderohen bastione të sigurta për republikanët ose demokratët.
Sipas Raportit Politik të Cook, 18 distrikte për Dhomën e Përfaqësuesve dhe shtatë gara për Senat janë veçanërisht konkurruese. Në mesin e tyre janë garat për Senat në Alaska dhe Teksas, si dhe disa distrikte në Florida dhe Michigan.
Një tjetër faktor që e bën këtë proces më të paparashikueshëm është beteja për hartat zgjedhore. Republikanët janë përpjekur të krijojnë zona zgjedhore që u japin përparësi kandidatëve të tyre, ndërsa demokratët kanë ndjekur të njëjtën strategji në shtetet ku kanë mundësi.
Edhe shpenzimet e fushatave kanë arritur shifra rekord. Deri më 30 tetor, për reklama politike gjatë ciklit zgjedhor 2025–2026 ishin shpenzuar 11.6 miliardë dollarë. Sipas AdImpact, shpenzimet më të mëdha janë përqendruar në garat për Senat në Teksas, Ohajo dhe Michigan.
Ndërkohë, të dhënat e financimit të fushatave tregojnë se vetëm Elon Musk ka shpenzuar 442 milionë dollarë për të mbështetur republikanët.
Çfarë ndodh me Trumpin nëse demokratët fitojnë?
Për Trumpin, këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse rezultati do të përcaktojë se sa i lirë do të jetë ai të vazhdojë me planet e tij politike gjatë dy viteve të mbetura të mandatit.
Nëse demokratët fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ose të Senatit, Trump do ta ketë më të vështirë të miratojë ligje dhe të zbatojë agjendën e tij politike.
Kjo nuk do të thotë se presidenti do ta humbasë pushtetin, por se do të përballet me më shumë pengesa në Kongres. Ai mund të vazhdojë të përdorë kompetencat presidenciale, por për shumë vendime do t’i duhet mbështetja e ligjvënësve.
Një fitore e demokratëve do t’u jepte atyre gjithashtu mundësinë të hapnin hetime parlamentare për administratën e Trumpit. Çështje si akuzat për korrupsion, salla e re e vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë dhe taktikat e agjencisë amerikane të imigracionit ICE mund të bëhen pjesë e këtyre hetimeve.
Brenda Partisë Demokratike ekziston edhe një debat nëse duhet të nisin procedurat për shkarkimin e Trumpit, përmes procesit të njohur si impeachment. Ky është një proces politik në Kongres dhe jo një gjykim penal.
Në anën tjetër, nëse republikanët ruajnë kontrollin e të dyja dhomave, Trump do të ketë më shumë hapësirë për të vazhduar me planet e tij dhe për të miratuar ligje me mbështetjen e partisë së tij.
Pse këto zgjedhje kanë rëndësi edhe për vitin 2028?
Edhe pse Trump nuk është kandidat në këto zgjedhje, rezultati i tyre pritet të ndikojë në përgatitjet politike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Trump u ka kërkuar republikanëve që ta shohin votën e 3 nëntorit edhe si një votë në mbështetje të tij dhe të politikave që ka ndjekur gjatë mandatit të dytë.
Në këtë kuptim, rezultati do të interpretohet si një tregues se si amerikanët e vlerësojnë drejtimin e vendit nën udhëheqjen e tij.
Nëse republikanët humbin kontrollin e Kongresit, kjo mund të ndikojë në debatin brenda partisë për të ardhmen dhe për atë se kush duhet të jetë kandidati i tyre në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Në të njëjtën kohë, demokratët do të kenë mundësi të vlerësojnë se cilët kandidatë dhe cilat politika mund t’i përfaqësojnë në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Trump nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë presidencial. Prandaj, pas zgjedhjeve të mesmandatit pritet të shtohen spekulimet për pasardhësin e tij politik dhe për emrat që mund të garojnë në të dyja partitë./teve1.info/




