Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Ajo ka bërë të ditur se ndalimi është bërë me urdhër të prokurorit kujdestar, ndërsa Prokurori i Shtetit po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
“Ju konfirmojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë, personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Shala./teve1.info/









