Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula ka marrë pjesë në edicionin e 55-të të manifestimit tradicional “Takimet e Gjeçovit”, që u mbajt në Zym të Hasit, ku është nderuar me çmimin “Unaza e Katit”.
Gjatë këtij manifestimi, presidentja ka vlerësuar rëndësinë e “Takimeve të Gjeçovit”, duke theksuar se për më shumë se gjysmë shekulli ky organizim ka ruajtur dhe promovuar vlerat e kulturës, dijes dhe trashëgimisë kombëtare.
Shiroka Pula ka përmendur edhe historinë e pasur arsimore dhe kulturore të Zymit dhe Hasit, duke rikujtuar hapjen e shkollës së parë shqipe në Zym më 1864 dhe botimin e “Abetares së Zymit” në vitin 1900.
Ajo ka veçuar gjithashtu personalitete të rëndësishme që kjo trevë i ka dhënë kulturës shqiptare, si Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, Katarina Josipi dhe Anton Pashku.
Në kuadër të manifestimit, presidentja është nderuar me çmimin “Unaza e Katit”, të cilin e ka cilësuar si një nder të madh dhe emocion të veçantë.
Me këtë rast, ajo ka kujtuar njohjen e saj me aktoren Katarina Josipi, e njohur si Kati, duke vlerësuar kontributin e saj si aktorja e parë grua që u ngjit në skenën e teatrit shqiptar.
“Kjo unazë do të jetë kujtim për mua, në zemrën time, dhe gjithmonë do të jem krenare që do ta mbaj unazën e saj”, ka deklaruar Shiroka Pula.
Ajo ka theksuar se ky çmim ka domethënie të veçantë për të, pasi është një nga vlerësimet e para që merr në fillim të mandatit të saj dhe mban emrin e një prej artisteve ikonike të kulturës shqiptare./teve1.info/







